Financimet në Bujqësi

Vijoi rradha e webinareve të organizuara nga Expocity Albania me webinarin e datës 7 korrik mbi një temë tejet të rëndësishme siç janë financimet në sektorin bujqësor. Në një kohë ndryshimesh globale të papreçedentë për kohët moderne, sektorë të rëndësishëm të ekonomisë për Shqipërinë, pësuan goditje gati fatale. Sektori bujqësor ishte ai tek i cili të gjithë drejtuam sytë.
Megjithatë, edhe bujqësia reflektoi problematika gjatë kësaj periudhe për shkak të pandemisë botërore. Kështu nisi diskutimi në webinarin e organizuar me inisiative të Expocity Albania me pjesëmarrjen e një paneli ekspertësh si:

Z. Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar
Z. Fatmir Nikolli, Drejtor Rajonal për Agrobiznesin, NOA
Z. Alban Mara, Drejtor i Aprovimit të Kredive, Departamenti i Riskut, OTP Bank
Z. Ervin Boci, Koordinator i Kredisë Agro, CREDINS Bank

Si përfaqësues i bizneseve në sektorin bujqësor, kryetari i KASH shpjegoi për audiencën se ky sektor rezultoi më pak i prekur nga efektet e pandemisë globale se sektorë si turizmi, shërbimet, transporti etj por jo i paprekur. Problemet financiare të këtij sektori nisën me situatën e tërmetit në muajin nëntor e cila përkoi me fushatën e mbjelljeve të vjeshtës dhe vjeljen e perimeve. Pak muaj më pas, situata e COVID-19 ndikoi në fushatën e mbjelljeve të pranverës dhe vjeljes së frutave.

Z. Agim evidentoi dy problematikat kyçe të këtij sektori:

  • Koha e vjeljes dhe koha e mbjelljes janë të lidhura ngushtësisht me kostot. Nëse fermerët nuk mbjellin/vjelin në kohë, humbja është mesatarisht në masën 30%. Në të dyja rastet, tërmeti dhe pandemia kanë ndikuar në këtë pikë.
  • Subjektet në këtë sektor nuk kanë arritur stadin e konsolidimit por të ardhurat që gjenerojnë nga puna e tyre, i ri-investojne duke mbetur kështu pa mjete likuiduese. Ata nuk arrijne dot të balancojne kërkesat me mjetet financiare. Në këtë rast, burimet mbeten remitancat dhe institucionet e mikrokredisë që janë tepër të rëndësishme.

Drejtuesi i KASH, Z. Agim Rrapaj, gjatë diskutimit të tij prezantoi paketën e fundit ekonomiko-financiare të propozuar për të mbështetur subjektet prodhuese dhe hallkat kryesore të zinxhirit që furnizon me ushqime. Kjo paketë mbështetet në katër shtylla kryesore:

  1. Kooperimin dhe Koordinimin;
  2. Mekanizimin, Inovacionin dhe Dixhitalizimin;
  3. Përmirësimin e ofertës financiare dhe disbursimin e fondeve grant, kryesisht për subjektet prodhuese dhe hallkat kryesore të zinxhirit që furnizojne me ushqime popullin;
  4. Përmiresimin e legjislacionit dhe akteve ligjore që kanë një impakt të drejtpërdrejtë tek subjektet prodhuese dhe hallkat kryesore të zinxhirit që furnizojnë me ushqime popullin.

Duke shpjeguar në mënyrë të detajuar masat e propozuara, Z. Rrapaj u ndal tek thirrja për tu përqëndruar tek fermeri. Nga 300 000 fermerë, vetëm 15% e tyre janë të formalizuar dhe pjesa tjetër është jashtë tregut. Banka e ka shumë të vështirë të penetrojë në këtë treg por kjo është domosdoshmëri. Gjithashtu, ai shtoi se po kaq e rëndësishme është rritja e masës së financimit dhe zgjidhja e problematikës së kolateralit. Fermeri ndesh shumë vështirësi në plotësimin e kritereve të kolateralit. Megjithatë, ai ka potenciale të mëdha në këtë drejtim. Propozimi i KASH është krijimi i një libri për mjetet e mekanikës bujqësore, i mirëorganizuar dhe të plotësoje kriteret e kërkuara nga banka. Sektori i mekanikës bujqësore duhet të formalizohet. Z. Rrapaj vijoi analizën e tij duke prekur edhe argumentin e garancisë që ka alokuar BERZH në vlerën 200 milione euro dhe duke theksuar se bankat duhet ta përdorin me efiçencë këtë garanci për të plotesuar kolateralin.
Vëmendja tek fermeri, i gjithë zinxhiri ushqimor duhet mbështetur me financim, transparence, ulje të kostove për tu bërë më konkurrues në treg. Hapja në tregun rajonal përbën një risk të shtuar duke qënë se kemi disproporcion mes subvencioneve të vëndeve përreth dhe Shqipërisë. Ky është një problem që nuk zgjidhet dot pa mbështetjen e institucioneve financiare, kështu u shpreh z. Agim Rrapaj.

Më tej diskutimi u vazhdua nga tre përfaqësuesit e institucioneve financiare të cilët fillimisht u shprehën mbi impaktin që ka patur pandemia botërore në sektorin bujqësor analizuar nga pozicionet dhe institucionet që ato përfaqësojne. Z. Ervin Boçi, nga Credins Bank shpjegoi në këtë webinar se fillimi i pandemisë u shoqërua me një paqartësi nga të gjitha anët, kryesisht gjatë javëve të para të muajit mars. Më pas, me hapjen e rrugëve të transportit ndërkombëtar, gjëndja u normalizua. Sipas tij, sektori bujqësor ia doli të ishte i strukturuar dhe deçiziv. Nuk do të thotë që nuk u prek dhe nuk pati rënie por krahasuar me sektorët e tjerë të ekonomisë gjatë këtij tre mujori, sektori bujqësor ka qënë vendimtar për ekonominë shqiptare.

Po kështu u shpreh dhe Z. Fatmir Nikolli nga NOA i cili argumentoi se nisur nga prodhimi i përgjithshëm bruto, numri i njerëzve që po investojnë në këtë sektor, tendenca në rritje e eksporteve, bujqësia është sektori më pak i prekur nga pandemia globale. Madje, ai tha se në disa nën-kategori të bujqësise, kjo situatë globale ka patur efekt pozitiv duke përmendur këtu prodhimin e perimeve në sera dhe nivelin çmimeve që ka patur trend pozitiv. Në tërësi, sektori bujqësor paraqitet atraktiv dhe tërheqës për investime.

Z. Alban Mara, OTP Bank, u shpreh se në fillim të pandemisë, krahasuar me bizneset që rendën të përfitonin moratoriumin e ofruar, sektori bujqësor nuk e reflektoi këtë panik duke mos patur aplikime në masë. Nga ana tjetër, Z. Alban citoi se OTP Bank ka qënë tepër aktive sidomos me skemat e BERZH dhe ndarjes së riskut pasi paraqitet tepër e vështirë që bankat të operojnë të vetme në një treg kaq të pastrukturuar. Banka nuk ka ndryshuar normat e interesit, nuk ka ndryshuar parametrat e vlerësimit të riskut. Ai theksoi se shumë shpejt OTP Bank do të ketë një strategji të mirëfilltë për sektorin agro të mbështetur nga grupi. Thirrja qe Z. Alban bën është përfshirja e fermerëve në legjislacionin fiskal për të reduktuar hendeqet e tregut në këtë drejtim.

Tregues shumë i rëndësishëm i mbështetjes ndaj sektorit është roli që pati sistemi bankar gjatë kësaj situate, përqasja ndaj sektorit bujqësor në kushtet e një ekonomie të tkurrur. Masat që kanë marrë bankat gjatë kësaj kohe për t’iu përgjigjur kërkesave të sektorit. Segmenti i agrobiznesit në Credins Bank është një strukturë e mirëorganizuar e përbërë nga specialistë të fushës si në sektorin e kredidhënies dhe në risk. Gjatë kësaj kohe banka nuk e ka ndalur financimin. Z. Ervin, përmendi që përveç muajit mars ku u konsatua paqartësi nga konsumatori dhe biznesi mbi vijueshmërinë, më pas Credins Bank ka patur një ecuri normale në drejtim të financimit të këtij segmenti. Në koordinim me Bankën e Shqipërisë është shqyrtuar çdo kërkesë për shtyrje këstesh dhe ka rezultauar që për sektorin bujqësor ka patur më pak kërkesa se në sektorët e tjerë. Koordinatori i agrobiznesit pranë Credins Bank prezantoi shkurtimisht produktin e bankës krijuar posaçërisht për t’iu gjendur agrobizneseve gjatë dhe pas pandemisë globale. Paketa “Së Bashku” synon rimëkëmbjen e sektorit duke financuar deri në 700 000 lekë pa kolateral, pa dorëzanës dhe norma interesi me ulje 5% nga normat që banka aplikon. Një ndër opsionet e kësaj pakete është mundësia e klientit për tu përjashtuar nga pagesa e principalit për tre muajt e parë të kredisë.

Institucioni financiar NOA, i cili tradicionalisht që në krijimin e tij para 21 vitesh, ka në fokus sektorin e bujqësise, ka vazhduar pa ndërprerë dhe me të njëjtat ritme proçesin e kredidhënies duke i qëndruar pranë fermerit shqiptar në lidhje me investimet afatshkurtra dhe afatgjata. Kështu u shpreh Drejtori Rajonal për Agrobiznesin Z. Fatmir Nikolli i cili shtoi gjithashtu se NOA, në kuadër të masave të ndërmarra për situatën, ka lançuar ofertën e kësteve progresive duke i dhënë klientëve mundësine e pagesës së kësteve të para më të ulta dhe rritjen e tyre në mënyrë graduale me stabilizimin e të ardhurave. Proçes i shpejtë dhe pa burokraci, janë pikat e forta të institucionit. Në fokus të NOA-s është jo vetëm kreditimi por edhe fushatat e këshillimit mbi proçeset agroteknike që ndodhin në fermë.

Diskutimi në këtë webinar u mbyll me thirrjen e Z. Agim për të gjithë institucionet financiare që duhet të mbështesin jo vetëm sektorin bujqësor por edhe blektorinë, peshkimin, agropërpunimin, agorindustrinë, tregjet agroblektorale, bletarinë etj. Sipas tij, bankat i largohen hallkave të dobta të zinxhirit por vëmendja duhet përqëndruar aty. Nëse këto hallka konservohen, atëherë zinxhiri ndryshket dhe në këtë sektor duhet guxuar, shprehet Z. Rrapaj.

Për tema po kaq të rëndësishme, takohemi në webinarin e rradhës.

Ndërkohe, ju ftojmë të ndiqni webinarin e plotë në link-un
https://www.youtube.com/watch?v=2R8vHmvh_58

Expocity Albania