Sektori i ndërtimit, prej vitesh ka qenë kontribuues i rëndësishëm në ekonominë e vendit. Sot, sipas të dhënave të INSTAT, numërohen 4500 kompani që operojnë në këtë sektor. Për t’i dhënë vëmendjen e duhur, Expocity Albania organizoi edicionin e parë të Panairit të Ndërtimit, Arkitekturës dhe Planifikimit Urban.
Në panair morën pjesë kompani nga të gjitha fushat e sektorit, të cilat jo vetëm ekspozuan punën e tyre, por edhe sollën fjalën e fundit të teknologjisë në ndërtim dhe materialet më cilësore për ndërtime sa më bashkëkohore. Në panair nuk munguan as përfaqësuesit e universiteteve, si publike dhe private, të cilat ekspozuan punët e tyre në stendat e Expocity Albania.
Aida Lutaj, Drejtore Ekzekutive e Expocity Albania, e vuri theksin mbi rëndësinë e këtij sektori në ekonominë e vendit dhe shtoi se qëllimi i ekspozitave tregtare të tilla, është te fokusi në sektorët parësorë. Ajo shtoi se forumet do të vazhdojnë të trajtojnë potencialin dhe sfidat e sektorëve, si dhe me bashkëbisedimet rreth problematikave që kërkojnë zgjidhje.
Sipas zonjës Lutaj, ndërtimi, arkitektura dhe planifikimi urban, po ndryshojnë çdo ditë realitetin shqiptar.
Gjatë fjalës përshëndetëse në çeljen e panairit, Lutaj tha se mungesa e alternativave për investime dhe rritja e likuiditetit prej prurjeve të turizmit, remitancave por edhe ekonomia informale kanë nxitur edhe një herë vrullshëm investimet në ndërtim, sidomos në banesa.
Në mbështetje të këtij panairi ka qenë edhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës. Gjatë çeljes ishte i pranishëm zv.ministri Artan Shkreli, i cili prezantoi situatën aktuale të Planifikimit Urban, ku sipas zotit Shkreli, rreth 75% e territorit ka planet e zhvillimit dhe rregullimit, ndërsa pjesa tjetër, rreth 25%, do të plotësohet brenda pranverës së ardhshme. Zoti Shkreli theksoi se planet urbanistike shkojnë sipas zhvillimit të qytetit.
Një tjetër pjesëmarrës në hapjen e panairit ishte kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka. Jaka, në fjalën e tij përshëndetëse, tha se të tilla organizime i shërbejnë zhvillimit dhe promovimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.
“Expocity Albania po kthehet në qendër atraktive për biznesin dhe do të ketë mbështetjen e plotë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në nisma të tilla”,- tha Nikolin Jaka në mbyllje të fjalës së tij.
Pjesë e fjalës së hapjes, përveç zëvendësministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës, z. Artan Shkreli, dhe kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, ishin edhe presidenti i Shoqatës së Ndërtuesve, z. Luigj Aleksi. Tryezës së rrumbullakët ju bashkua dhe dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës, prof. Florian Nepravishta, znj. Enida Bezhani, drejtore ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Shqipëri, z. Armand Vokshi, kryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë etj.
Panairi pati mbështetje nga kompania ADMC International (Art and Design Metal Construction), kompani ndërkombëtare që operon në disa vende të botës. Fokusi kryesor i kompanisë në Shqipëri është rekrutimi i burimeve njerëzore për projektet inxhinierike që kanë në shumë vende të botës. Aktualisht, projekti më ambicioz i kompanisë është ndërtimi i stadiumit të Katarit, ku do të zhvillohet Kampionati Botëror i Futbollit. Orneda Raufi, menaxhere e burimeve njerëzore në kompaninë ADMC, thotë se numri i të rekrutuarve nga kompania e tyre i ka tejkaluar një mijë persona.
Risitë teknologjike, motor zhvillimi
Teknologjia ka prekur çdo sektor, duke e bërë punën më të lehtë, punonjësit më eficentë dhe output-et me standard më të lartë. Por risitë teknologjike janë më të prekshme në sektorin e ndërtimit. Gjeo-Vjosa ofron produkte që ndihmojnë me monitorimin dhe rritjen e produktivitetit kompanitë në sektorin e ndërtimit.
Edhe kompania Teoren ekspozoi në panair teknikat më të reja në ndërtim. Gazmir Laçi, drejtues i departamentit të marketingut, tha se e gjente panairin mjaft të dobishëm për sektorin ku ata operojnë, duke qenë se është i fokusuar në këtë segment.
“Në panair jemi pjesë me një teknikë të re, e cila ndihmon ndërtimin, përfaqësohet nga Pontarolo Energy. Risia e kësaj teknike përmirëson eficencën e energjisë së godinave dhe bën izolimin e themeleve duke mbrojtur shtëpitë nga lagështira dhe gazi radon”, tha Laçi.
Gjatë panairit u zhvilluan edhe forume diskutimi, të cilët prekën çështjet më të rëndësishme të sektorit.
Në forumin e parë me temë “Sfidat e Sektorit të Ndërtimit, Arkitekturës dhe Planifikimit Urban në realitetin shqiptar”, paneli i diskutimit shtroi çështje që shqetësojnë sot sektorin. Një ndër problematikat që iu dha zë gjatë forumit ishte se në Shqipëri mungon ende Urdhri i Inxhinierit dhe Arkitektit. Krijimi i këtyre dy urdhrave do të rregullonte këto dy profesione dhe do të përmirësonte sektorin. Faruk Kaba, kryetar i Shoqatës së Inxhinierëve të Ndërtimit, shtoi se përveç problemit me krijimin e Urdhrave, sot vuajnë edhe mungesën e kërkimeve shkencore. Në të njëjtën linjë mendimi, edhe Armand Vokshi, kryetari i Shoqatës së Arkitektëve, tha se krijimi i Urdhrit për Arkitektët është një çlirim. “Ushtrimi i profesionit duhet të jetë një e drejtë legjitime. Çdo individ që mbaron profesionin duhet të ushtrojë profesionin. Urdhri është një rregullator që futet midis profesionistit dhe klientit”, – tha ai gjatë diskutimit në panel.
Por këto nuk janë sfidat e vetme që shqetësojnë sektorin. Sektori i ndërtimit ka fuqinë që me politikat e duhura të përmirësojë jetën e qytetarëve.
Megjithatë, zonja Enida Bezhani, përfaqësuese e Dhomës Amerikane të Tregtisë, që ka dhe shumë anëtarë që operojnë në këtë sektor, përcolli disa nga shqetësimet e tyre, të cilat lidhen kryesisht me taksat dhe tatimet që kanë rënduar së fundmi sektorin. Rritja e taksave dhe tatimeve, sipas zonës Bezhani, do të rëndonte biznesin, duke sjellë dhe tkurrje si në aktivitet, ashtu edhe në punësim.
“Armata e re”
Sot Tirana mban mbase një rekord në Europë për sa i përket numrit të fakulteteve të arkitekturës. Sipas Florian Nepravishtës, dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, numërohen rreth 7 fakultete që përgatisin arkitektë dhe urbanistë në vend.
“Më shumë individë të arsimuar, më të mira do t’i sjellin qytetit. Jemi shtatë shkolla arkitekture, tha z. Nepravishta gjatë diskutimit në panel.
Nepravishta shtoi se fakulteti kontribuon me të gjitha mundësitë e veta për përmirësimin e qytetit. “Arkitektura dhe urbanistika mundohet që procesin arsimor ta përshtatë me realitetin. E nisëm me planifikimet urbane të disa qendrave urbane, ku studentët tanë u përfshinë në këto projekte, tha dekani Florian Nepravishta në diskutim.
Një qytet më eficent në energji
Forumi i dytë i diskutimit me temë “Modernizimi i ndriçimit publik me eficencë të lartë energjie – sfida për pushtetin vendor në Shqipëri” kishte në panelin e diskutimit përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, përfaqësues të bashkive kryesore në vend dhe menaxherin e projektit gjerman mbi eficiencën e energjisë, z. Ismail Beka.
Sipas zotit Beka, ky projekt po zhvillohet me disa bashki të zgjedhura në vend. “Aktualisht Bashkitë shpenzojnë më shumë se 30% të kostove të energjisë elektrike vjetore, për ndriçimin publik, pra ka shumë sfida për të ulur konsumin, duke përmirësuar ndriçimin”,- tha Ismail Beka.