Expocity Albania zhvilloi Edicionin e parë të Panairit dhe Konferencën Ndërkombëtare të Agrobiznesit dhe Agroteknikës “AgroTech 2018”. Panairi shënoi një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për sektorin bujqësor.
Për tri ditë me radhë, në Expocity Albania, 40 stenda dhe rreth 60 agrobiznese, patën mundësinë të ekspozonin ofertën e tyre për tregun dhe sektorin.
Kompani jo vetëm shqiptare, por nga i gjithë rajoni i Ballkanit dhe më gjerë, patën mundësi që të ekspozojnë produktet dhe shërbimet e tyre në Expocity Albania. Rreth 2500 vizitorë u njohën me të rejat më të fundit në këtë sektor, si dhe me risitë teknologjike.
Në një koncept gjithëpërfshirës, 360 gradë, ky panair pati të pranishëm me produktet përkatëse të gjitha kompanitë që merren me prodhimin e inputeve bujqësore, farave, pesticideve, hortikulturës, luleve, bimëve mjekësore; kompani që tregtojnë pajisje, vegla e makineri bujqësore, pajisje dhe teknologji për përpunimin e ushqimit, paketimin, etiketimin, si dhe shoqatat bujqësore, institucionet financiare, si dhe institucionet qeveritare.
Përpos ekspozimit të produkteve dhe shërbimeve të tyre, bizneset patën mundësi të krijonin partneritete të reja, të zhvillonin takime të mirëfillta biznesi, si dhe të informoheshin mbi teknologjitë më inovative të sektorit.
Jo vetëm panair…
Expocity Albania, si pjesë integrale të panairit, zhvilloi edhe Konferencën Agro Tech, ku ekspertët më të mirë të fushës dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore trajtuan problemet dhe diskutuan rreth zgjidhjeve më optimale për sektorin e bujqësisë; gjithashtu u dhanë informacione të vlefshme mbi teknologjitë inovative dhe konceptet e certifikimeve të cilësisë.
Me çfarë u njohën vizitorët
Vizitorët gjetën një hapësirë unike me larminë e të gjitha produkteve bujqësore dhe u njohën me tendencat e fundit në treg për sektorin.
Panairi shërbeu si një pikëtakimi ideal për t’u vizituar nga fermerë e prodhues bujqësorë, ashtu si dhe blerës potencialë të sektorit, kompani eksportuese të makinerive bujqësore, distributorë rajonalë të kompanive importuese, shoqatat tregtare të bujqësisë, investitorët e huaj etj.
Si ekspozuesit, edhe vizitorët, gjetën në panair informacione mbi zgjidhjet më të fundit dhe më të efektshme të teknologjisë, programet e reja financiare për sektorin e bujqësisë, tendencat në tregjet vendase dhe ndërkombëtare, mundësitë e investimit etj.
Ky panair u mbështet nga kontributi i kompanive lider në tregun rajonal, siç është kompania greke Hellagro, në paketimin e materialeve industriale, paketimin e ushqimeve dhe pajisjeve bujqësore, si dhe kompania shqiptare Alb Tech Plast sh.p.k., e cila merret me prodhimin e plastikës dhe materialeve të paketimit, duke mbështetur ndjeshëm sektorin e agrikulturës.