TË SIGURT MBI DY RROTA 2018 

Auto Club Albania (ACA) edhe këtë vit, për të tetin vit radhazi, do të organizojë konkursin edukativ për fëmijë të moshave 10-12 vjeç, nën moton “Të Sigurt mbi Dy Rrota”.

Ky konkurs është pjesë e konkursit europian “European Traffic Education Contest”, që organizohet prej 33 vjetësh në kuadrin e programeve të FIA-s dhe ka për synim njohjen e fëmijëve me sinjalistikën rrugore dhe edukimin me rregullat e qarkullimit në rrugë.

Edukimi gjithëpërfshirës dhe i vazhdueshëm rreth sigurisë rrugore tek fëmijët ka një rëndësi të madhe në përcaktimin e sjelljes si përdorues të rrugës në të ardhmen. Konkursi Kombëtar për Edukimin mbi Sigurinë Rrugore është menduar si një nxitje për të përmirësuar edukimin ndaj trafikut për të gjithë fëmijët dhe të tërheqë vëmendjen e publikut, shkollave si edhe autoriteteve kryesore të interesuara për këtë çështje. Nëpërmjet këtij konkursi, ACA synon të inkurajojë të gjithë grupet e interesit që të angazhohen për promovimin e sigurisë së fëmijëve në rrugë.

Nisur nga suksesi i arritur në edicionet e kaluara, falë mbështetjes së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në konkursin e këtij viti përveç shkollave të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Fierit, Vlorës u përfshinë edhe ato të Korçës dhe Pogradecit.

Në fazën e parë numri total i pjesëmarrësve ishte 1720 fëmijë, nga 86 shkolla me mbështetjen e 190 mësuesve

Finalja Kombëtare e Konkursit Edukativ “Të Sigurt mbi Dy Rrota 2018” do të zhvillohet më datë 12 Maj 2018 në ambientet e Expocity Albania, në Tiranë. Në këtë fazë do të marrin pjesë 20 ekipe finaliste, të cilat janë përzgjedhur në finalet e qyteteve.

Faza finale përfshin ushtrime me biçikletë, testim njohurish teorike, konkurs vizatimi dhe argëtim.

Ekipi fitues i finales kombëtare do të përfaqësojë Shqipërinë në Konkursin Europian që këtë vit do të zhvillohet në Budapest, në datat 6-9 Shtator 2018.