<-Prapa

Rreth Panairit

Food & Drink Festival, edicioni i 3-të

Food & Drink Festival, për të tretin vit radhazi, vjen në Expocity Albania, në datat 9-11 Mars, i fokusuar drejt zhvillimeve të fundit në industrinë ushqimore dhe pijeve.
Kjo platformë do të mbledhë në Expocity Albania sipërmarrës, vizitorë, kompani dhe institucione shtetërore nga i gjithë Ballkani, në një vend të vetëm. Fokusi do të jetë promovimi i produkteve tipike mesdhetare, shkëmbimi i informacionit dhe njohja me risitë e industrisë ushqimore.
Edicioni i tretë i Panairit Food & Drink Festival vjen me shumë risi, si nga ana vizuale, ku prezantimi i sipërmarrjeve në hapësirat e tyre do të jetë tërheqës dhe i kuruar nga ana estetike, po edhe nga ana organizative, duke qenë se panairi është menduar si një festë treditore kushtuar tërësisht ushqimit dhe pijeve.

Nga data 9 deri më 11 Mars, vizitorët do të kenë mundësinë të njihen dhe të shijojnë një larmi produktesh, të marrin pjesë në degustime të një varieteti të gjerë verërash shqiptare dhe të huaja, të marrin pjesë në show gatimi live me kuzhinierët e mirënjohur Fundim Gjepali, Instituti Kulinar Neranxi me Alfio Rrotani dhe Indrit Çela, si dhe në konkurse dhe aktivitete të tjera informuese dhe argëtuese.
Një nga aktivitetet më të veçanta të këtij edicioni do të jetë ai i organizuar me Ambasadën Japoneze në Tiranë, në një hapësirë kushtuar Kulturës Japoneze, ku Shkëlqësia e tij, Ambasadori Japonez, z. Makoto Ito, do të prezantojë disa produkte të veçanta dhe do të sjellë për degustim te vizitorët pijen Sake.
Një nga sponsorët e eventit, L&M Commercial, ka ftuar në këtë panair, një pizzaiol të mirënjohur, z. Roberto De Santis, një nga profesionistët e Pizza-s, i cili do të gatuajë pizza gjatë tre ditëve të panairit.
Këtë vit do të organizohet edhe Konkursi i Verës, ku do të përzgjidhet vera më cilësore, nga një juri e specializuar.
Food & Drink Festival do të zhvillohet nën moton “Eat. Drink. Educate.”, duke ofruar jo vetëm një hapësirë ekspozimi, por dhe konferenca, seminare, trajnime, degustime dhe ambiente festive. Tre ditë të larmishme dedikuar shqisës së katërt, asaj të “shijes”, ku kompanitë e sektorit ushqimor dhe pijeve do të jenë përballë konsumatorit dhe konkurrentëve. Synimi thelbësor i panairit Food & Drink Festival do të jetë rëndësia e promovimit të kulinarisë, ku nuk do të mungojnë eventet e degustimit të produkteve, këshilla nga dietologë të njohur dhe aktivitete të tjera tërheqëse për një target të gjerë konsumatorësh.

Veçoria e këtij Panairi është pikërisht fakti se, krahas sipërmarrjeve dhe markave më të mëdha të pranishme në tregun shqiptar, në këtë organizim kanë një hapësirë të rëndësishme edhe sipërmarrjet e vogla, të specializuara në prodhime shqiptare të traditës. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të njohur dhe për të promovuar produkte që nuk gjenden lehtësisht në distribucionin e gjerë, kjo edhe për shkak të prodhimit të limituar, siç janë produktet e disa fermave të vogla që kanë prodhime organike cilësore, të cilat do t’i gjeni në panair.
Tradita e panairit ka krijuar një ambient të përshtatshëm për promovimin dhe tregtimin e produkteve të ndryshme, ku vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë dhe të blejnë këto produkte, si dhe të marrin informacion të larmishëm për një shumëllojshmëri produktesh të reja.
Pse bizneset e fushës së kulinarisë duhet të marrin pjesë në këtë event? Pjesëmarrja në aktivitete ekspozuese sjell shumë përfitime për të gjitha bizneset pjesëmarrëse. Panairi është një mënyrë alternative për të marketuar brand-in e tyre, ofron një ekspozim të gjerë dhe të drejtpërdrejtë te konsumatori final, si dhe i vendos brandet konkurrente përballë njëra-tjetrës. Ky panair është një mundësi shumë e mirë për brand-et e mëdha që të afirmojnë pozicionin e tyre në treg, si dhe për ato sipërmarrje më të vogla që të kenë vizibilitet dhe njihen si nga profesionistët e këtij sektori, por edhe nga konsumatori. Gjithashtu, ky Panair do të këtë në axhendën e tij takime B2B midis përfaqësuesve më të rëndësishëm të sektorit, si nga bizneset edhe nga ana e institucioneve rregullatore.
Pse duhet vizituar ky panair? Ky panair nuk është menduar thjesht si një hapësirë ekspozuese, por mbi të gjitha, si një aktivitet ku vizitori mund të ndërveprojë në forma të ndryshme. Nuk do të mungojnë degustimet e produkteve ushqimore dhe pijeve, show gatimi live nga Shefa profesionistë, të cilët do të paraqesin pjata origjinale e gatime tradicionale, aktivitete të ndryshme promovuese dhe një atmosferë festive që do të shoqërojë të tre ditët e panairit Food & Drink Festival.

Share this...
Share on Facebook
Facebook
Email this to someone
email